PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.77, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE
VENDIM
Nr. 660, datë 10.10.2019
PËR DISA SHTESA NË VENDIMIN NR.77, DATË 28.1.2015, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR
KONTRIBUTET E DETYRUESHME DHE PËRFITIMET NGA SISTEMI I SIGURIMEVE SHOQËRORE DHE
SIGURIMI I KUJDESIT SHËNDETËSOR”,
TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 9 e 10, të ligjit nr. 7703, datë
11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin
e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Në vendimin nr. 77, datë
28.1.2015, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen shtesat, me këtë përmbajtje:
1. Pas pikës 12/1, të kreut IV, “Regjistrimi dhe evidentimi i kontributeve”, shtohet pika 12/2, me
këtë përmbajtje
12/2 Për efekt të përfitimeve sipas dispozitave të ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet
shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, do të njihen si periudha sigurimi të
gjitha periudhat nga 1.10.1993 deri më 31.12.2014, për të cilat nga personat e vetëpunësuar në
bujqësi janë paguar kontributet e sigurimit të detyrueshëm shoqëror, sipas procedurave të
kohës, të përcaktuara në vendimet e Këshillit të Ministrave nr. 402, datë 11.6.2001, nr. 167,
datë 29.3.2006, dhe nr. 1114, datë 30.7.2008, “Për disa çështje në zbatim të ligjit nr.7703, datë
11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, pavarësisht vendbanimit të tyre
sipas regjistrit të gjendjes civile në atë periudhë të mbuluar me sigurim shoqëror, me kusht
që kontributet të jenë paguar deri në datën 31.3.2015”.
2. Në pikën 8, të kreut VIII, shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje: “Në rastet kur paga
mujore mbi të cilën paguhen kontributet dhe kontributet janë llogaritur dhe paguar mbi një
shumë më të vogël se paga minimale ose kontributi minimal i miratuar me vendim të Këshillit
të Ministrave për vitin përkatës, periudha mujore e sigurimit llogaritet duke vënë në raport pagën
ose kontributin e paguar me pagën ose kontributin minimal të miratuar me vendim të Këshillit
të Ministrave, e shumëzuar me 30 (tridhjetë). Nga ky rregull bëjnë përjashtim muajt me
pagesë kontributesh jo të plotë, për shkak se personi ka filluar punë ose është larguar
nga puna gjatë muajit. Në këtë rast, për efekt të periudhës së sigurimit merren ditët e punuara. 3.
Për vitin 2019, efekti financiar llogaritet në shumën 15 000 000 (pesëmbëdhjetë milionë) lekë,
dhe përballohet me fondet e parashikuara në buxhetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore
të këtij viti.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.